adult playgrounds

Kënde lojërash për të rritur

‘Kënde lojërash për të rritur’ – nga emri, ato që të vijnë ndër mend janë disa kujtime ku ti dhe tre shokë shkuat një fundjavë në një festë që përfshinte rroba banjo leopardi, disa foto çasti të ngelura si evidencë dhe një martesë e anulluar. Kohë të bukura vërtet, por përpara se të krijosh idenë e gabuar, këndet e lojërave për të rritur për të cilat po flasim, nuk përfshijnë aktivitete të dyshimta si këto.

Ne në fakt po flasim për kënde publike lojërash dhe parqe që mund të frekuentohen si nga fëmijët ashtu edhe të rriturit. Në disa raste janë krijuar të tilla që të rriturit të nxjerrin në pah fëmijën që mbajnë brenda vetes dhe të reduktojnë stresin duke marrë pjesë në aktivitete që përmirësojnë shëndetin dhe duke mos e pasur më nevojë të paguajnë për programet e kushtueshme të palestrës.

Ky trend, me të cilin po bashkohen gjithmonë e më shumë dizajner dhe planifikues urban në të gjithë botën, ofron një alternative të re të mbajtjes së trupit në formë ndryshe nga palestra sepse në një ambient të tillë ti mund të bësh ushtrime, të shoqërohesh me njerëz të rinj, të jesh kreativ dhe të argëtohesh në hapësira publike.


Ne kemi gjetur për ty pesë shembuj këndesh lojërash për të rritur nga e gjithë bota duke shpresuar që edhe ti do t’i frekuentosh një ditë.

Superkillen - Kopenhagen, Danimarkë

Superkillen është shembulli perfekt i një këndi lojërash për të rritur. Parku është ndarë në 3 ambiente kryesore: një shesh i kuq, një pazar i zi dhe një park i gjelbër, secili ambient përmban elemente të rikrijuara si hapësira për piknik, hapësira të gjelbërta, hapësira dedikuar kafshëve shtëpiake, hapësira sportive, si dhe hapësira për biçikleta. Parku gëzon edhe një sërë elementësh nga e gjithë bota si për shembull lisharëse nga Iraku, stola nga Brazili, kapakë pusetash nga Zanzibari, një shatërvan nga Maroku dhe një Oktapod Japonez si një xhungël rrëshqitësesh.

Mount Mitte- Berlin, Gjermani

Vendi ideal për ata që dashurojnë kacavjerrjen, Mount Mitte në zemër të Berlinit është një hapësirë gjigande me një seri litarësh të tre niveleve të ndryshme, lidhur lart me të cilat mund të përshkosh gjashtë rrugëtime, të kalosh nëntëdhjetë pengesa dhe të shijosh nga atje lartë një pamje të mrekullueshme të qytetit. Nëse kacavjerrja nuk bën për ty, mund të luash volejboll në rërë ose mund të shijosh ushqimin dhe pijet e mrekullueshme të barit Hauaian aty pranë.

Tiger and Turtle – Mali magjik, Duisberg, Gjermani

Dizenjuar nga artistët gjerman Heike Mutter dhe Ulrich Genth, kjo pedonale e lartë i ngjason një labirinthi plot rrugica e shkallë. Skulptura 21 metra e lartë plot rrugëtina është e pozicionuar në majë të kodrës së Duisberg-ut duke ofruar kështu një pamje mahnitëse të vendit përqark. Vizitorët mund të ecin, vrapojnë, ngjisin shkallët dhe në një farë pike të ngecin në një rrugë pa krye. Është e hapur si ditën ashtu edhe natën dhe ndriçohet nga disa drita LED duke ofruar një eksperiencë unike për të gjithë fatlumët që e vizitojnë.

CITY MUSEUM, San LUIS, SHBA

Muzeu me një sipërfaqe mbi 55 000 metra katrorë është një fantazi si për fëmijët ashtu edhe të rriturit. Ky muze konsiston në një hapësirë të gjerë me objekte arkitekturore dhe industriale të riprojektuara ku vizitorët inkurajohen të prekin çdo objekt, si dhe të provojnë dhe lozin në ekspozita nga më të ndryshmet. Përmban rrëshqitëse me 10 tematika të ndryshme, shpella të bëra nga njerëzit, një rrotë Ferris dhe dy aeroplanë. Fundjavave në mbrëmje është i hapur vetëm për të rriturit dhe është i pajisur edhe me një bar të inkorporuar për të gjithë ata që duan të pinë një gotë dhe të harrojnë rutinën.

JEJU LOVE LAND, KOREJA E JUGUT

Mirë, ky vend përfshin diçka më të ngjashme me atë çfarë të vjen në mendje kur ne themi “kënd lojërash për të rritur”. I përshkruar si një park erotik, Jeju Love Land është hapur në 2004 me idenë e thyerjes së tabuve tradicionale rreth seksit duke festuar këtu bukurinë natyrale të seksualitetit. Parku përmban 140 skulptura në poziccione të ndryshme seksuale, instalacione videosh erotike dhe të tjera punime arti. Shumë i përhapur për çiftet në muajin e mjaltit ky vend i dedikohet vetëm të rriturve.


Jepi pra, zbulo fëmijën brenda vetes dhe kërko për një park lojërash për të rritur diku afër, për të larguar stresin, shoqëruar me njerëz të ndryshëm, mbajtur trupin në formë dhe për të qënë i ri përgjithmonë.